
Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda pushoi dje akuzat dhe gjykimin ndaj Sokol Halilajt, i dyshuar për përfshirje në njërën nga vrasjet e dy policëve në Krujë, në vitin 1999.Të njëjtin person Shkalla e Parë për Krimet e Rënda e ka dënuar dy herë më parë me “burgim të përjetshëm”. Po ashtu, akuzat u pushuan edhe ndaj të bashkëpandehurit të Halilajt, Shefqet Seferit. Vendimi që nxjerr nga qelia të pandehurit Halilaj dhe Seferi u shpall dje, pak pas mesditës. Një pesëshe gjyqtarësh të Apelit vendosën prishjen e vendimit të dhjetorit 2010, të Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, vendim i cili dënonte me “burgim të përjetshëm” të pandehurin Sokol Halilaj dhe me 22 vjet burg të pandehurin Shefqet Seferi. Në një njëjtin verdikt, Gjykata e Apelit vendosi dje pushimin e çështjes penale në ngarkim të tyre. “Gjykata e Apelit vendosi prishjen e vendimit nr. 53, datë 29.12.2010 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dhe pushimin e çështjes në ngarkim të të pandehurve Sokol Halilaj dhe Shefqet Seferi”, thuhej në dispozitivin e vendimit të Apelit.
Deri dje, Prokuroria për Krimet e Rënda e akuzonte Sokol Halilajn për veprat penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese në bashkëpunim”, “vrasje me dashje në bashkëpunim” dhe për “armëmbajtje pa leje”. Dosja në ngarkim të tij dhe të bashkëpandehurit është shqyrtuar dy herë tek Krimet e Rënda. Fillimisht, i pandehur në dosje ishte edhe Dritan Rexhepi. Më 20 shkurt të vitit 2009, Krimet e Rënda vendosën dënimin e Halilajt dhe Rexhepit me “burg përjetë” dhe Seferit, me 25 vjet burg. Ky vendim u prish nga Apeli i Krimeve të Rënda në 29 maj të vitit 2009, i cili e ktheu dosjen për rigjykim në Shkallën e Parë. Këtë radhë dosja në ngarkim të Halilajt dhe Seferit u veçua nga ajo e Rexhepajt, për shkak se ky i fundit ishte duke vuajtur një dënim në Itali për një vepër të kryer në atë vend. Pas 44 seancash gjyqësore, Krimet e Rënda i deklaruan ata sërish fajtorë, duke vendosur “burg përjetë” për Sokol Halilajn dhe 22 vjet burg për Shefqet Seferin. Ngjarjet për të cilat ata akuzoheshin, janë shënuar më 27 gusht dhe 6 tetor të vitit 1999 në qytetin e Krujës, ku janë vrarë policët Arben Keqi dhe Durim Kasmi. Sipas Prokurorisë, vrasjet kanë ardhur si pasojë e një linje hakmarrjeje mes një familjeje në Krujë dhe punonjësit të policisë, Keqi.

Sulmuesi inspiron skuadrën që ndaj Bosnjës të luajë si ndaj Bjellorusisë

Shqipëria vazhdon të ëndërrojë, ndërsa vetëm shtatë ditë na ndajnë nga ndeshja më e rëndësishme, ajo ndaj Bosnjës më 7 qershor në Zenica. Trajneri Josik Kuzhe ka nisur tashmë fazën përgatitore të kësaj sfide me 22 kuqezinjtë që ka në dispozicion. Objektivi është një rezultat pozitiv, pse jo edhe një fitore, e cila do të afronte më shumë me realitetin e një kualifikimi të mundshëm në Euro 2012. Por, për të bërë një gjë të tillë, Edmond Kapllani, sulmuesi i rikthyer në Kombëtare pas tetë muajsh mungese, inspiron skuadrën që të aplikojë të njëjtën lojë si ndaj Bjellorusisë në Tiranë. Ai e di mirë se Bosnja është një kundërshtar shumë i vështirë dhe se ndaj nesh do të luajë shanset e fundit për kualifikim. “Të them të drejtën, për ne çdo skuadër është e vështirë, u shpreh Kapllani në konferencën e djeshme për shtyp. E pamë këtë edhe me Luksemburgun, gjë që na tregoi se ekipet kanë avancuar. Por unë kam besim te grupi i lojtarëve, sepse është ky detaj që në futbollin modern jep rezultate pozitive. Por besoj se nëse luajmë me Bosnjën si me Bjellorusinë, atëherë kemi mundësi të marrim jo një pikë, por maksimumin”. Boshnjakët do të luajnë ndaj Rumanisë në Bukuresht dhe kjo do të jetë një mundësi e mirë për të t’i bërë një studim të fundit mënyrës së aktuale të lojës së kundërshtarit tonë të ardhshëm: “Normalisht do ta ndjek ndeshjen Rumani-Bosnjë. Edhe pse për ne më e rëndësishme është mënyra se si do të luajmë kundër tyre”, pohoi Kapllani”. Për sa i përket rikthimit në Kombëtare, golashënuesi i shqiptar i Paderbornit në këtë sezon në Bundesligën II shprehet i kënaqur. Për mungesën e gjatë 8-mujore, sulmuesi i jep të drejtë trajnerit, pasi “isha i dëmtuar”. Por tani e ka bindur Kuzhen me formën e mirë që po kalon dhe me golat që ka shënuar. Në këtë mënyrë, ai zgjedh të shmangë çdo polemikë të mundshme në lidhje me vendimet e trajnerit dhe thekson se “në Kombëtare, i rëndësishëm është grupi, jo individët. Grupi na ka çuar deri në këtë pikë ku jemi dhe grupi do të kërkojë të na japë ndeshje pozitive si kundër Bosnjës”. Bogdani ka deklaruar tashmë tërheqjen pas këtyre eliminatoreve dhe Kapllani pritet të jetë zëvendësuesi i tij. “Unë e kam ndier veten gjithmonë gati dhe kur kam luajtur, kam dhënë maksimumin, duke e ndihmuar skuadrën kombëtare, aq sa kam pasur mundësi, ka theksuar ai në lidhje me të këtë çështje. Por të gjithë ata që janë këtu, ndihen gati për t’i shërbyer Kombëtares”. Me mbylljen e sezonit të Bundesligës II, skadoi edhe huazimi i tij te Paderborni, ndërsa kualifikimi i Augsburgut në Bundesligë i çoi në rinovimin automatik të kontratës së tij edhe për një vit me këtë ekip. Por e ardhmja e tij është ende e dyshimtë. “Ngjitja e Augsburgut në Bundesligë i e vështirëson pozicionin tim, pasi klubi dëshiron të blejë lojtarë të tjerë për të përballuar kampionatin. Do të kërkojnë një sulmues me përvojë. Megjithatë, unë me 99% e shoh veten tek Augsburgu”, rrëfen Kapllani, i cili gjithsesi nuk i trembet konkurrencës brenda skuadrës: “Nuk kam frikë sepse konkurrenca është në çdo ekip. Por konkurrencën duhet ta përballosh dhe ta shfrytëzosh në favorin tënd”, përfundoi sulmuesi kuqezi.

“Nga KQZ-ja janë hequr kamerat e survejimit të kutive të votimit”

Partia Socialiste zhvendos vëmendjen e saj për çështjen e Tiranës drejt Prokurorisë së Përgjithshme. Në një konferencë për shtyp dje, kreu i saj, Edi Rama, ka bërë të ditur se pas procesit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe pritmërive nga Kolegji Zgjedhor, selia rozë vlerëson se shkelja e ligjit ka kapërcyer kufijtë administrativë për të kapërcyer në ata penalë. “I jemi drejtuar prokurorisë, duke i vënë në dispozicion të gjitha provat e një krimi që nuk është thjesht administrativ, por mirëfilli penal. Sigurisht presim që prokuroria të veprojë për ta zbardhur me themel të gjithë çka ka ndodhur, duke deformuar në mënyrë spektakolare vullnetin e qytetarëve të Tiranës, me qëllimin e vetëm të përmbysjes së fitores në tavolinë dhe të grabitjes së mandatit të Tiranës”, tha Rama. Thënë ndryshe, rruga ligjore e përmendur nga selia rozë po zgjerohet edhe drejt hetimit penal, për të cilin edhe katër anëtarë të KQZ-së aktualisht kanë në ngarkim një kallëzim penal nga PS-ja. Më tej, Rama ka bërë të ditur edhe opsionin e protestave si rrugë për rifitimin e të drejtës së humbur në tavolinë dhe në këtë drejtim, sipas tij vendimi i Kolegjit Zgjedhor është një pikë kthese. “Vendimi i Kolegjit është një domosdoshmëri jo thjesht për të përcaktuar mandatin e Tiranës mbi bazën e rezultatit legjitim që e pa çdo shqiptar dhe bota mbarë me sytë e miqve e partnerëve të fokusuar në këto zgjedhje, por edhe për të mos rritur koston për vendin e për njerëzit të një procesi të dalë përfundimisht nga binarët përmes vullnetit të mbrapshtë të një njeriu, i cili për fat të keq është Kryeministri i këtij vendi, por që kurrë në historinë e tij s’ka pranuar ndonjëherë ndonjë rezultat që e ka nxjerrë humbës, ashtu sikundër nuk fiton dot pa vjedhur kundërshtarin”, nënvizoi kreu i PS-së. Në një karakterizim të procedurave të ndjekura nga KQZ-ja, Rama ka risjellë në vëmendje akuzat e njohura që flasin për vjedhje në tavolinë, shkelje të ligjit dhe moszbatim i asnjë procedure normale. “Sot, e gjithë ditën, në Komisionin Qendror të Vjedhjeve vazhdon veprimtaria ilegale për të përmbysur rezultatin në tavolinë, duke vazhduar hapja e kutive të zgjedhjeve të 8 majit, kuti të cilat ndryshe nga çdo herë tjetër kanë dalë nga regjimi i zakonshëm, janë mbledhur pa një vendim si zakonisht, janë magazinuar pa asnjë monitorim, janë hequr nga survejimi me video që ka qenë një praktikë e konsoliduar deri në zgjedhjet e shkuara”, nënvizoi Rama.
Kjo është dalja e tretë e tij pas shpalljes së rezultatit për Tiranën nga KQZ-ja, përmes të cilave ai ka mbajtur të hapur perspektivën e protestave si mjet për të kundërshtuar vendimet e institucioneve shqiptare. Duke pasur parasysh riciklimin e tyre, ai ka theksuar me forcë se statusi politik dhe social i Shqipërisë në momentin e tanishëm është fiksuar te fjala krizë. “Saliu po turpëron Shqipërinë... Shqipëria nuk ka ngërç. Shqipëria ka krizë. Krizë të thellë të demokracisë, të drejtësisë dhe të ekonomisë. Është një krizë që sot thellohet dita-ditës, për përgjegjësinë ekskluzive të Saliut. Sot është koha dhe vendi për të folur për atë që kemi përpara si një stacion shumë i rëndësishëm”, tha ai.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi dje kërkesën e Partisë Socialiste, për pezullimin e shqyrtimit të ankesave për vendimin që i hapi rrugë shpalljes së tabelës përmbledhëse të rezultatit për Bashkinë e Tiranës. Përfaqësuesit ligjorë të PS-së i kërkuan Komisionit të vendoste pezullimin e ankimimeve me argumentin se çështja po shqyrtohet tashmë në Kolegjin Zgjedhor. Të njëjtin qëndrim shprehën edhe dy nga anëtarët e KQZ-së të propozuar nga opozita. “Thelbi i ankimit është i njëjtë. Gjykimi im është që kërkesa për pezullim deri në shprehjen e Kolegjit Zgjedhor për këtë çështje është e drejtë dhe këtë e parashikon dhe Kodi Zgjedhor”, - theksoi zv/kryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi. “KQZ-ja duhet të pezullojë këtë gjykim, pasi kjo është një e drejtë proceduriale, që po gjykohet nga një organ më i lartë gjyqësor, siç është Kolegji Zgjedhor”, - tha anëtari i KQZ-së, Artan Laze. Por, përfaqësuesit e maxhorancës në KQZ si edhe avokatët e Partisë Demokratike u shprehën kundër këtij pezullimi. Sipas tyre përmes këtij qëndrimi socialistët po tentonin bllokimin dhe zvarritjen e procesit. “Përderisa ankimimet janë të argumentuara dhe të dorëzuara brenda rregullave që Kodi Zgjedhor parashikon nuk ka pse të mos merren në shqyrtim”, - u shpreh anëtari i KQZ-së, Klement Zguri, i cili shtoi se KQZ-ja duhet të vijojë me rendin e ditës, pasi ankimimet janë bërë me vullnet të lirë të vetë subjekteve të interesuara. Ishte Subashi që ndërhyri sërish duke theksuar se nuk kishte vlerë që një ankimim të shqyrtohej nga dy institucione njëkohësisht. “Ankimet për rezultatin përfundimtar, tabela përmbledhëse që përmbysi rezultatin e Tiranës pritet të shqyrtohet këtu, ndërkohë që kjo çështje tashmë po shqyrtohet nga Kolegji Zgjedhor”, - argumentoi ajo. Nga ana tjetër kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, duke kundërshtuar propozimin e socialistëve, tha se “kërkesa për pezullim duhej bërë bashkë me padinë e themelit në gjykatë, por nga PS-ja u zgjodh kjo rrugë që synon të pengojë punën e KQZ-së për të përmbyllur detyrat e saj ligjore”. Pas debateve kërkesa e PS-së për pezullimin e shqyrtimit të ankimimeve u hodh poshtë me votim 4 me 2 nga anëtarët e KQZ-së dhe Komisioni vijoi rendin e ditës me shqyrtimin e ankimimeve. Kërkesa PS-së konteston rezultatet e KZAZ nr. 49, njësia bashkiake 5, si dhe vendimin e KQZ-së për tabelën përfundimtare të Bashkisë Tiranë. Ndërsa, kërkesa e PD-së kërkon rivlerësimin dhe rinumërimin e votave të kontestuara në katër njësi bashkiake të kryeqytetit dhe përfshirjen e tyre në tabelën përfundimtare. Ankimimi i PD-së kërkon që, përveç votave të vlefshme të hedhura në kutitë e gabuara, tashmë të rivlerësohen dhe një numër votash të kontestuara gjatë procesit të numërimit të votave për kryetar bashkie. Te. Blu

Ishin në vendin e gabuar, me makinën e gabuar. Këtë deklaroi autori i vrasjes së dy personave dhe plagosjes së dy të tjerëve përpara policisë së Durrësit, pas masakrës që kreu në vendin e quajtur "Katër rrugët e Shijakut" mbrëmjen e së mërkurës. I arrestuar nga policia, Emiljano Tema, 25 vjeç, i dënuar më parë, rrëfeu se vrasja e 37-vjeçarit Blerim Kërtalli dhe 35-vjeçarit Mariglen Avdullai, si dhe plagosja e Altin Avdylit e Altin Brahimaj ishte një ngatërresë dhe se kishte dashur të vriste persona të tjerë me të cilët ishte përplasur disa orë më parë.
Ka qenë pikërisht një ngatërresë e tillë në Shijak që çoi në identifikimin e autorit. Bëhet e ditur se të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa mësohet se njëri prej tyre është dëmtuar nga bllokimi i makinës në kohën e atentatit. Njëri nga viktimat e pikërisht Mariglen Avdullai ishte nga qyteti i Lushnjës dhe të mërkurën kishte vajtur mysafir tek kunati i tij Blerim Kërtalli, viktimë e dytë e atentatit "të gabuar"
Ngjarja
Të katër burrat po ktheheshin në shtëpi nga Durrësi dhe ndaluan për të furnizuar me karburant mjetin me të cilin udhëtonin, një fuoristradë, tip "Benz", me targa të huaja. Por në këtë kohë janë gjendur nën një breshëri plumbash automatiku kallashnikov, ndërsa autori duket se ishte pozicionuar në krahun e djathtë të automjetit dhe ëshë larguar në errësirë. Viktimat në krahun e djathtë të mjetit kanë humbur jetën për shkak të plagëve dhe hemorragjisë, ndërsa dy të tjerët kanë marrë vetëm plagë.
Hetimi
Policia e mbërritur në vendngjarje ka marrë në pyetje persona të ndryshëm duke pyetur edhe nëse ka pasur raste konflikti. Kështu u mësua se shtetasi Emiljano Tema, shtëpia e të cilit ndodhej pranë vendit të ngjarjes, ditën e martë ishte rrahur me disa të rinj dhe ishin qëlluar me tavulla duhani. Nga dëshmitë rezultoi se personat që ishin përplasur me 25-vjeçarin Tema zotëronin një makinë me targa të huaja e ngjashme me atë të viktimave.
Si rrjedhojë, policia ka mbërritur në banesën e të dyshuarit si autor, ndërkohë që nga kontrolli i është gjetur arma e krimit me një karikator bosh dhe një karikator rezervë, në gatishmëri me 30 plumba.
Autori
Emiliano Tema, 25 vjeç nga Shijaku, u prangos si autori i vetëm i dyshuar i masakrës që i mori jetën dy personave dhe plagosi dy të tjerë. Burimet nga grupi hetimor u shprehën se ai kishte pranuar krimin, por duke u shprehur se ishte gabuar në shënjestrën e tij. Në të vërtetë, Tema kishte dashur të vriste dy persona të tjerë, të cilët, sipas tij, udhëtonin edhe ata me fuoristradë të ngjashme me atë ku gjendeshin katër burrat. Tema deklaroi se ishte në konflikt me shtetasit Indrit Kapedani dhe një person me inicialet S.T, pasi ishin rrahur në një nga lokalet e zonës dhe për këtë kishte tentuar që t'i vriste. Sipas policisë, Tema ishte i dënuar 3 herë më parë për "armëmbajtje pa leje", "plagosje" dhe "prodhim dhe shitje narkotikësh", vepra të kryera tre vjet më parë.
Viktimat
Blerim Kërtalli, 37 vjeç, banues në Shijak.
Mariglen Avdullai, 35 vjeç, banues në Lushnjë
Të plagosurit
Altin Avdyli, 34 vjeç, banues në Shijak.
Altin Brahimaj, 27 vjeç, banues në Shijak
Tirana - Dinamo 1-1 (4-3 11-m)
Tirana: I. Lika, Lila, Dushku, Osmani, Gvozdenoviç, G. Lika (Bala 54′), Karabeci (G. Muça 46′), Lilaj, Zizoviç (Sina 92′), Pejiç, Hyka. Trajner: M. Krstiçeviç.
Dinamo: Hoxha, Malota (A. Daja 1'sht.), Miloviç, Malakarne, Ferraj, Vila, Orelesi, Opoku, Allmuça, Martinena, Brkiç (Peqini 91′). Trajner: A. Mërgjyshi.
Gjyqtarë: L. Jemini, D. Rexha, E. Barushi (Tiranë)
Kartonë të verdhë: G. Muça, Osmani (2), Pejiç \ Martinena, Orelesi, Peqini (2)
Kartonë të kuq: Osmani, Peqini
Tirana është fituesja e Kupës së Shqipërisë për edicionin 2010-2011. Nuk ka mjaftuar koha e rregullt, as dy shtesat nga 15 minuta, por finalja e djeshme është zgjidhur te 11-metërshat. Aty ku bardheblutë kanë pasur portierin Lika hero, i cili ka pritur jo pak, por tri penallti të gjuajtura nga Ferraj, Miloviç dhe Opoku dhe ka meritën kryesore në fitimin e trofeut nga Tirana.
Nuk duhet mohuar edhe forma e mirë e kolegut të tij në portën dinamovite, Alban Hoxha, i cili ka pasur fat në gjuajtjen jashtë të 11-metërshit të Balës dhe ka pritur atë të kapitenit Lila.
Duke iu rikthyer 90 minutave, pavarësisht se blutë kaluan në avantazh të parët me anë të Brkiçit, bardheblutë barazuan në pjesën e dytë me "bomberin" Pero Pejiç. Duhet theksuar se në ndeshjen e djeshme u vu re qartë në të dy pjesët një mori rastesh të humbura para portës kundërshtare nga lojtarët e të dy ekipeve.
Mbi të gjitha ka qenë një derbi që ka pasur brenda spektaklin, lojën e fortë, kartonët e verdhë dhe të kuq, shtesat, tifozët, por edhe penalltitë.
Pjesa e parë
Të dy trajnerët kishin aktivizuar lojtarët me gjendje fizike më të mirë. Tirana ndryshe nga ndeshjet e fundit të kampionatit, dje në "Niko Dovana" luajti me skemën 4-5-1. Një mbrojtje ku në vend të Sinës është aktivizuar Lila dhe vendet e tjera të repartit difensiv u janë besuar Osmanit, Dushkut dhe Gvozdenoviçit.
Në mesfushë G.Lika nga e djathta Hyka nga e majta, në qendër të mesfushës Karabeci dhe Lilaj, kurse në rolin e fantazistit është aktivizuar boshnjaku Zizoviç, që ishte edhe në ndihmë të Pejiçit, i vetëm në sulm.
Kurse blutë mundoheshin që të kapnin në gafil mbrojtjen bardheblu, aty ku Brkiç ishte i vetëm në majën e sulmit, por mbështetej nga e djathta nga argjentinasi Martinena dhe nga e majta nga Opoku.
Pavarësisht se bardheblutë mund të kalonin të parët në avantazh, pasi kanë qenë fare pranë golit me G.Likën dhe Hykën, tri minuta më vonë kanë qenë blutë që kanë kaluar në avantazh me serbin Brkiç, i cili është shërbyer saktë nga Allmuça dhe përballë Likës sulmuesi i bluve nuk ka falur.
Tirana pas pësimit të golit bëhet më agresive, ndërsa Dinamo përpiqet të ruajë qetësinë dhe të administrojë avantazhin. Bardheblutë kanë të tjera raste me G.Likën, Dushkun dhe Karabecin, por pjesë e parë përfundon me avantazhin e ngushtë të bluve.
Pjesa e dytë
Trajneri Krstiçeviç aktivizon G.Muçën në vend të Karabecit për të freskuar mesfushën, edhe pse është dukur një ndërhyrje e nxituar. Ndërkohë që blutë janë më të freskët në minutat e para të fraksionit të dytë, disa herë shfaqen rrezikshëm me daljet e Vilës, që së bashku me Allmuçën kanë qenë dy "motorët" e bluve.
Kur pritej që Dinamo të dyfishonte shifrat, ka barazuar Tirana, falë një asisti të kapitenit Lila për Pejiçin dhe kroati nuk ka falur para portës së Hoxhës. Pas golit të Tiranës, loja bëhet më agresive për disa minuta, të dyja skuadrat kërkojnë golin e avantazhit, blutë kanë mundësinë më të mirë të shënojnë me Brkiçin dhjetë minuta para fundit, por serbi është treguar i pasaktë.
Shtesa
Koha e rregullt përfundon në barazim, ndërkohë që në shtesën e parë Dinamo duket më e freskët pas futjes në fushë të Peqnit dhe Dajës. Në të dy shtesat nga 15 minuta dallohen gjuajtjet e Vilës dhe Martinenës për Dinamon që nuk kanë mundur të shënojnë.
Një minutë para përfundimit të shtesës së dytë, Sina ka "shkaktuar" drithërima te blutë, sepse me një goditje pa pretendime nga 35-m, topin e ka ndalur traversa. Përfundojnë edhe dy shtesat në barazim 1-1, fatet e lojës i përcaktojnë 11-metërshat.
Për Tiranën kanë ekzekutuar saktë Pejiç, Gvozdenoviç, Sina dhe G.Muça, kurse Bala ka gjuajtur jashtë, ndërsa topin e gjuajtur nga Lila e ka pritur Hoxha. Për blutë gjuajtën saktë Vila, Malakarne dhe Allmuça, kurse Ferraj, Miloviç dhe Opoku janë ndalur nga "gardiani" Ilion Lika.
KQZ ka vendosur në mbledhjen e sotme hapjen e 26 kutive të tjera, në të cilat PD pretendon se ka të tjera vota të kontestuara. Pas debatesh me përfaqësuesit e PS në lidhje me sigurinë e këtyre kutive, për të cilat Ristani u shpreh se janë nën administrimin e KQZ-së, është hedhur për votim dhe është miratuar me 4 votat e anëtarëve të maxhorancës në komision hapja e këtyre 26 kutive, në të cilat mendohet të jenë edhe 403 vota, të cilat PD i ka cilësuar si të kontestuara.
Rreth orës 13:15 ka nisur numërimi i fletëve të kontestuara. Kutia e parë që u hap ishte ajo e qendrës së votimit 17 73, në të cilën u gjetën dy fletë votimi në favor të Edi Ramës. KZAZ kishte cilësuar si të kontestuar njërën fletë, në të cilën shenja krah kandidatit ishte bërë me ngjyrë të kuqe, ndërsa fleta tjetër ishte konsideruar e pavlefshme sepse në krah të kandidatit ishte shkruar "votoj Edi Ramën".
Rasti i dytë është bërë objekt diskutimesh, pasi nënkryetarja Subashi tha se kjo shpreh vullnetin e votuesit, ndërsa Ristani u shpreh se standardi i vendosur është votimi me shenjë dhe jo me fjalë.
26 kutitë e votimit prej të cilave priten të merren në shqyrtim votat e kontestuara, kanë mbërritur në ambientet e KQZ-së rreth orës 13:00,për të nisur numërim e 403 votave që gjenden në këto kuti të hedhura gabimisht. "Kërkesa e pranuar është bazuar në ligj. Sqarojmë se marrja në dorëzim e materialeve dhe kutive është një procedurë transparente", tha Leonard Olli, zëdhënës i KQZ-së.
Debate për kërkesën e PD
Mbledhja e sotme e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nisi me debate në lidhje me shqyrtimin e kërkesave të Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste për rezultatin e Bashkisë së Tiranës.
Përfaqësuesit e PS e kanë quajtur të pabazuar në ligj ankimimin e PD-së, duke shtuar se kjo veçse do ta ngatërrojë akoma më shumë procesin.
"Kjo do të thotë që ju të vlerësoni votën që ju keni nxjerrë nga 113 kutitë dhe që gjatë procesit të vlerësimit të këtyre votave, dhe të hapim procesin me votat e vlerësuara nga KQZ dhe e argumentoni se KQZ ka vepruar si KZAZ. A ka afate, kur bëhet kjo çështje, se i bie që pas një muaji t'i japim të drejtë një pale që i ka kaluar afati. Kjo çështje është përfunduar moralisht, juridikisht dhe PD ankimon rezultatin që shpall fitues kandidatin e vet, dhe sot ankimon tabelat e rezultatit që vetë ju prodhuat", tha Genci Gjonçaj, përfaqësuesi ligjor i PS në KQZ.