Nis grumbullimi për sfidën kualifikuese në Euro 2012 të 7 qershorit me Bosnjë-Hercegovinën. Kuqezinjtë, sot në fushë
Nga boshti prej 16 lojtarësh, 10 mund të ndërrojnë ekip në verë
Kombëtarja shqiptare ka nisur zyrtarisht grumbullimin për sfidën e 7 qershorit në fushën e Bosnjë-Hercegovinës. Pas përgatitjeve “paraprake” me vetëm 10 futbollistë, të cilët ishin pa aktivitet prej mbylljes së kampionateve, gjatë pasdites së djeshme trajneri Josip Kuzhe është takuar me kuqezinjtë.Përveç Samir Ujkanit, që prej ndeshjeve “play-off” të Novarës do të paraqitet në datën 3 qershor, prej ditës së sotme përfaqësuesja do të nisë përgatitjet me ritëm të lartë. Edhe pse në Zenica, përfaqësuesja shqiptare do të luajë fatet e edicionit, është e pashmangshme që në këtë periudhë, një pjesë e konsiderueshme e lojtarëve të jenë nën ethet e merkatos. Nga boshti prej 16 lojtarësh i ekipit kuqezi (lista e të grumbulluarve për këtë sfidë kishte 23 emra), plot 10 prej tyre duhet të mendojnë jo vetëm për kualifikueset, por edhe për të ardhmen në klube.
Përveç kapitenit Lala, portierit Beqaj, e mbrojtësve Curri, Dallku, Agolli e Teli, pjesa tjetër e emrave të rëndësishëm të Shqipërisë janë ende në pritje për të njohur ekipin e ri. Prej Lorik Canës, për të cilin vazhdon të përflitet se është fare pranë transferimit te Lacio në Serinë A. 27-vjeçari ka deklaruar se “nuk më intereson nëse do të kem rrogë më të ulët, dua vetëm Lacion”. Ndërkohë, tifozët e Gallatasarait i kanë shprehur indinjatën klubit për largimin e Canës: “Ne si tifozë shprehim pakënaqësinë rreth largimit të Lorikut. Për ne, ai është një pikë referimi, një lojtar që i përshtatet më së miri stilit dhe mentalitetit të Gallatasarait dhe të trajnerit Terim. Duam që Cana të qëndrojë!”.
Përveç Canës, dilema kanë edhe tre sulmuesit e skuadrës, Hamdi Salihi, Erjon Bogdani e Edmond Kapllani. Rapidi i Vjenës po mendon ta shesë Salihin prej problemeve financiare, ndërsa ofertat e rëndësishme nga ukrainasit e Dinamos së Kievit, rusët e CSKA dhe Spartakut të Moskës apo edhe interesimi nga Franca nuk kanë munguar. Edhe Bogdani nuk e ka më vendin të sigurt te Çezena: pasi ishte protagonist në mbijetesën e klubit në elitën e futbollit italian, “Er-Bomber” mund të largohet ndërsa një alternativë është Atalanta. Paqartësi për të ardhmen ka edhe Kapllani.
Augsburg në Bundesligë, Paderborn në Ligën 2 apo ndonjë klub tjetër, gjithçka mbetet për t’u parë. Pas aventurës së pafat tek Arka Gdynia në Poloni, Ervin Skela është sërish lojtar i lirë dhe në kërkim të një fanelle, ashtu si Klodian Duro, Lask Linzi i të cilit ra nga kategoria. Ervin Bulku ka pohuar se do të largohet nga kroatët e Hajdukut të Splitit, që kërkonin kuqeziun tjetër, Andi Lila. Por, kapiteni i Tiranës është shënjestruar edhe nga Dinamo e Bukureshtit, që e cilëson si zgjidhjen e problemeve në mbrojtje. Pasi u ra në sy klubeve të Bundesligës gjermane, Kristi Vangjeli ka oferta edhe nga ekipe me emër në Greqi (AEK-u është një prej tyre), ndërsa Ujkani ende nuk e ka 100 për qind të sigurt qëndrimin te Novara, apo kthimin te Palermo.





