dailyvideo

PS- PD: Jo rivotim ne Tirane

                                                                            Darina Tanushi/ Tedi Blushi

Dy partitë kryesore, Partia Demokratike dhe ajo Socialiste, janë kundër përsëritjes së zgjedhjeve në Tiranë. Drejtues dhe deputetë të tyre presin vendimin e Kolegjit Zgjedhor në datën 3 qershor, por secila palë është e sigurt në fitoren e kandidatit përkatës. Ditët e fundit, PS publikoi disa të dhëna, të cilat tregojnë për një mosrakordim shifrash, midis numrit të votuesve dhe fletëve të votimit të gjetura në kutitë e votimit. PS denoncoi se janë 357 fletë votimi më shumë për kryetar të bashkisë së Tiranës, në të gjitha qendrat e votimit që mori nën hetim KQZ-ja, duke përmbysur rezultatin në kryeqytet. Pas kësaj, mes analistësh dhe në mjedisin politik ka nisur të diskutohet ideja e përsëritjes së zgjedhjeve në Tiranë, si zgjidhje e situatës aktuale, ku pas numërimit të kutisë së fundit në njësinë nr.5 doli fitues Edi Rama, me 10 vota plus dhe pas rinumërimit nga KQZ-ja disa ditë më pas, fitues doli Lulzim Basha, me 81 vota plus, por asnjë nga dy partitë më të mëdha nuk e pranojnë se do të kërkojnë ripërsëritje zgjedhjesh në Tiranë nëse do të ketë pakënaqësi mbi vendimin e Kolegjit Zgjedhor.
Opozita Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi deklaroi dje për "Gazeta Shqiptare" se "PS i ka fituar ato zgjedhje, me Edi Ramën si kryetar të Bashkisë. Nuk është PS-ja që ka kërkuar përsëritje të zgjedhjeve në Tiranë", - deklaroi Ruçi, i pyetur nëse ky ishte një variant që do të zgjidhte edhe situatën e krijuar. Kundër përsëritjes së zgjedhjeve në Tiranë është shprehur edhe një prej deputetëve që ruajti votat për ditë të tëra në njësinë nr.5, Piro Lutaj. "Ne nuk mendojmë fare të shkojmë në zgjedhje, sepse ne jemi fitues në Tiranë. Sigurisht, do vendoset apo s'do vendoset, është tjetër gjë. Ne jemi fitues dhe nuk kemi arsye të mendojmë as për të përsëritur zgjedhjet dhe as për të menduar që Kolegji do t'ia japë mandatin Edi Ramës në bazë të veprimeve prej banditi që bëri KQZ-ja", - deklaroi Lutaj. Nga ana tjetër, avokati Spartak Ngjela, një prej aleatëve të PS-së, ka shpjeguar me detaje të gjitha aspektet që të çojnë në një vendim, sipas tij pozitiv të Kolegjit, në favor të Edi Ramës. "S'ka kërkuar përsëritje të zgjedhjeve PS-ja. PS kërkon zbatimin e matricës së fletëve, sipas së cilës, fletët e marra në dorëzim për t'u përdorur gjatë votimit duhet të jenë të barabarta me fletët e kandidatëve, plus fletët e prishura, plus fletët e kontestuara", - sqaroi Ngjela për Gazetën. Ai tha se "kjo shifër duhet të dalë e njëjtë. Nëse numri ka qenë 500, duhet sërish të dalë 500. Por, nëse numri del më i madh, do të thotë që në kuti janë hedhur fletë false, të bëra nga jashtë sistemit". Ngjela del në përfundimin se, nëse këto fetë janë më shumë sesa votues, atëherë përgjegjëse për këtë është PD-ja, që ka edhe Ministrinë e Brendshme. "S'ka mundësi të jetë negativ vendimi i Kolegjit. Aritmetika nuk mund të jetë negative", - tha Ngjela, i cili beson se Kolegji do të japë vendim në favor të Ramës. Ai analizon edhe mënyrën se si KQZ-ja miratoi aktin normativ. Sipas tij, akti normativ miratohet me konsensus, pra me një konsensus prej 5 votash. Ndërsa Ristani, sipas Ngjelës, "ka marrë një akt me 4 vota, dhe ai është nul". "Si mund të dalë për një gjykatë rezultati i zgjedhjeve me një akt që është nul? Patjetër që Kolegji ia jep Ramës. Kjo nuk diskutohet, - u shpreh Ngjela. -Berisha e ka të humbur", - theksoi ai.
Maxhoranca
Nga ana tjetër, deputetë të maxhorancës gjithashtu shprehen se nuk është e nevojshme përsëritja e zgjedhjeve në Tiranë. Deputetja e PD-së, Arenca Trashani thotë në mënyrë kategorike se "nuk ka pse të ketë përsëritje zgjedhjesh, sepse fituesi është Lulzim Basha". Deputeti Fatbardh Kadilli deklaroi dje për "Gazeta Shqiptare", se "unë mendoj dhe jam i bindur se gjëja më e mirë është të presim vendimin e Kolegjit, institucionit kompetente për këtë çështje". "Sa i përket zgjidhjeve të tjera pastaj, ky nuk mund të jetë as vendim personal apo kompromis palësh. Zgjedhjet mund të bëhen vetëm nëse vendos Kolegji Zgjedhor. Vetëm ai mund të vendosë një gjë të tillë", - deklaroi Kadilli. I të njëjtit mendim ishte dje edhe deputetja Rajmonda Bulku. "Atë (përsëritjen e zgjedhjeve) e vendosin organet kompetente", - deklaroi Bulku e pyetur nga Gazeta. Kodi Zgjedhor ka të përcaktuar edhe përsëritjen e zgjedhjeve, në nenin 161. Por që të kalohet në përsëritjen e zgjedhjeve, fillimisht duhet që të jetë shpallur pavlefshmëri e tyre në një apo në disa qendra votimi. Sipas nenit 161, "...Për zgjedhjet për kryetar të njësisë vendore, ndikim në rezultat do të konsiderohet kur numri i zgjedhësve në qendrat e shpallura të pavlefshme është më i madh se diferenca midis dy kandidatëve që kanë marrë numrin më të madh të votave të vlefshme". Mirëpo në analizë të këtij neni, pritet të shihet edhe qëllimi i publikimit tri ditë më parë të shifrave nga ana e PS-së, të cilat sipas saj, vërtetojnë manipulimet nga ana e maxhorancës dhe e KQZ-së në përmbysjen e rezultatit. Duhet të shihet, nëse qëllimi i socialistëve për denoncimin e mosrakordimit të shifrave është pikërisht arritja e qëllimit për përsëritje të zgjedhjeve, në rast të një vendimi negativ nga ana e Kolegjit Zgjedhor



Posted by fatmir on 22:15. Filed under , , , . You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0

0 commenti for PS- PD: Jo rivotim ne Tirane

KOMENTO

Lajmet e fundit

Komentet e fundit

Lajme BOX1