Rama: Provat për kanibalizmin elektoral, në Prokurori
TIRANË- “Të gjitha faktet dhe provat për kanibalizimin në Komisionin Qendror të Vjedhjeve janë në prokurori”. Kështu ka deklaruar sot kreu i PS-së, Edi Rama, duke analizuar situatën më të fundit posgjedhore dhe duke përsëritur faktin se opozita dhe populli presin drejtësi nga Kolegji Zgjedhor.
“Saliu thotë pse nuk i kemi ankimuar ne, por e vëreta është se ankesa për atë që ka ndodhur dhe ndodh ka marrë një përmasë ndërkombëtare. Nuk ka mbetur, jo vetëm qytetar i ndershëm i këtij vendi me respket për votën e tij, por edhe mik i këtij vendi pa ngritur zërin për aktin e paligjshëm të KQZ.
Ne e kemi bërë publik faktin që i jemi drejtuar prokurorisë duke i vënë në dispozicion të gjitha provat e një krimi që nuk është thjesht administrativ, por penal dhe presim që prokuroria të veprojë për ta zbardhur me themel të gjithë cka ka ndodhur duke deformuar në mënyrë spektakolare vullnetin e qytetarëve të Tiranës me synim përmbysjen e fitores në tavolinë dhe grabitjes së mandatit të Tiranës”- tha ai, gjatë një bashkëbisedime me gazetarët.
Sipas tij, të gjithë partnerët e huaj, njëzëri kërkojnë që drejtësia të japë drejtësi që Kolegji të gjykojë me ndershmëri.
“Kjo kërkesë lidhet direkt me cëshjtjen, por ka të bëjë me shumë më tepër se kaq, me fatet e demokracisë dhe ecurinë e punëve në këtë vend, që është tërësisht e kompromentuar nëse drejtësia nuk bën drejtësi”- tha ai, duke përsëritur edhe mirëpritjen e asistencës së Komisionit të Venecias.
Rama ka akuzuar kreun e qeverisë se ai nuk nuk pranon asnjë rezultat që e nxjerr humbës, po ashtu sikundër nuk fiton dot pa vjedhur kundërshtarin.





