dailyvideo

Skema e manipulimit të 8 majit, drejt Prokurorisë

Ajtyresa paralajmëron depozitimin në organin e akuzës të fakteve të disponuara nga Partia Socialiste


Zgjedhjet e pushtetit vendor të zhvilluar në 8 maj, përfundojnë në Prokurorinë e Përgjithshme. Më saktë, beteja për Tiranën, ku një seri padish, vendimesh dhe kërkesash ankimore kanë ngatërruar shumë të vërtetën e votave të hedhura me gabimet administrative, do të jetë pjesë e angazhimit të organit të Akuzës. Partia Socialiste ka deklaruar dje përmes anëtares së Asamblesë Kombëtare, Megi Ajtyresa, se skema e manipulimit e përdorur në 8 maj në Tiranë do të bëhet shumë shpejt objekt i një kallëzimi penal në Prokurorinë e Përgjithshme.

“Shqiptarët panë me shifra jo me fjalë vjedhjen e organizuar nga Saliu në tavolinën e Ristanit. Çdo ditë ne do hedhim dritë mbi kutitë e manipuluara për të përmbysur fitoren tonë në Tiranë. Që nesër edhe Prokuroria do disponojë të gjithë të vërtetën e këtij kanibalizmi elektoral. Kusarët e votave janë të kapur me prova tronditëse që flasin vetë. Tirana s’mund të gjunjëzohet me vota të vjedhura pas një numërimi që na nxori fitues në sytë e çdo shqiptari”, tha Ajtyresa.

Kjo lëvizje e PS-së që me siguri do të kërkojë të vendosë para drejtësisë komisionerët e përfshirë në atë skemë deformimi që u denoncua dy ditë më parë nga kreu i Grupit Parlamentar, Gramoz Ruçi, të cilët kanë vendosur firmat në tabelat e rezultateve dhe në procesverbale. Sipas Ruçit, shifrat e vendosur nuk korrespondojnë me numrin e votave në kuti dhe të përdorura, që sipas tij dëshmojnë në mënyrë të qartë aplikimin e një sistemi falsifikimi menjëherë pas mbylljes së procesit zgjedhor.

Në të njëjtën frymë edhe përfaqësuesit ligjorë të selisë rozë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, përgjatë gjithë procesit të rivlerësimit të fletëve të gjendura në kutitë e gabuara në Tiranë, kanë këmbëngulur në kërkesën për të identifikuar origjinën e fletëve të votimit të marra në shqyrtim, ç’ka tanimë po del në sipërfaqe si një dosje akuze e plotë nga ana e PS-së.

Kësaj i duhet shtuar fakti se formacioni politik i drejtuar nga Edi Rama ka depozituar kallëzim penal në prokurori edhe për 4 anëtarët e shumicës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për shkelje të ligjit, duke e vënë aktualisht të gjithë institucionin, por edhe integritetin e procesit zgjedhor në pikëpyetje të madhe. Ndërkohë, Ajtyresa ka lënë të kuptohet se PS nuk e sheh të kushtëzuar veprimin e Prokurorisë me vendimin e Kolegjit Zgjedhor, për sa kohë kërkoi publikisht që “presim që Kolegji Zgjedhor të japë drejtësi në emër të ligjit dhe nga prokuroria të ndëshkojë ligjërisht falsifikatorët e zgjedhjeve”.

Posted by fatmir on 21:52. Filed under , , . You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0

0 commenti for Skema e manipulimit të 8 majit, drejt Prokurorisë

KOMENTO

Lajmet e fundit

Komentet e fundit

Lajme BOX1