Zgjedhjet s’mund të përsëriten sa herë në lojë është pensioni politik i Edvinit
Sekretari për Çështjet Zgjedhore i LSI-së, Ylli Manjani, bën thirrje që PS-ja të pranojë rezultatin, pasi është e qartë se qytetarët e Tiranës kanë votuar për ndryshimin
LSI i sugjeron PS-së se pretendimet për rezultatin zgjedhor të Tiranës, t’i drejtojë në organet gjyqësore. Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar dje ndaj deklaratës së kryetarit të grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi i cili theksoi se mazhoranca kërkon të manipulojë procesin dhe tej zgjatjen e tij deri në ri-përsëritjen e zgjedhjeve. Në një konferencë për shtyp sekretari për çështjet ligjore në LSI, Ylli Manjani theksoi se se janë 124 786 zgjedhës të Tiranës që kanë vendosur të nxjerrin në opozitë, për herë të parë Edi Ramën, i cili kandidoi për të katërtin mandat në bashkinë e Tiranës. Më tej ai nënvizoi se ky fakt e ka tërbuar Edi Ramën, dhe ka nxitur drejtuesit e tjerë të Partisë Socialiste të ndërmarrin një betejë për prishjen e procesit zgjedhor. “Qëllimi i Ramës dhe i drejtuesve të tjerë të PS-së është që t’i imponohet publikut, institucioneve dhe opinionit ndërkombëtar me tezën e përsëritjes së zgjedhjeve.
Rama kërkon të ngulë pabesisht një thikë në shpinën e procesit zgjedhor”, theksoi Manjani. Ai iu referua finales së Champions League, kur perifrazoi se hipoteza e ripërsëritjes së zgjedhjeve në Tiranë është njësoj sikur Manchester United të kërkojë përsëritjen e ndeshjes finale me Barcelonën, vetëm sepse e humbi, 1-3. “Nuk ka asnjë një lloj vaji dhe as uthulle që të bëjë të gëlltitshëm pozitën groteske të zotit Rama dhe të drejtuesve të lodhur të Partisë Socialiste”, u shpreh Manjani.
Në vijim të kësaj deklarate ai tha, se teoria, që numri i votave është më i madh se numri i votuesve, duke i bërë zgjedhjet të papranueshme e duke fajësuar për këtë KQZ-në, është një thikë që Edi Rama kërkon të ngulë me dëshpërim në shpinën e procesit zgjedhor. “Në rastin e bashkisë Tiranë gjetja e fletëve të votimit në kutinë e gabuar e sqaron më së miri përrallën e mos rakordimit të shifrave, të cilën nuk e beson as vetë Rama. Është e vërtetë që fletët e votimit të gjetura në kutinë e gabuar janë tepër për këtë të fundit, por është gjithashtu e vërtetë se po të njëjtat fletë janë mangut në kutinë e duhur.
Por, PS-së nuk i intereson kjo e fundit, sepse në fakt nuk i intereson vota e qytetarëve, por vetëm fitorja e kryetari”, sqaroi më tej Manjani. Ai informoi se fleta e votimit këtë herë përveç elementëve të sigurisë që parashikon Kodi Zgjedhor, me kërkesën e Partisë Socialiste, KQZ i dha të drejtë Kryetarit dhe Nënkryetares të vendosin një shenjë të fshehtë në fletën e votimit. Sipas Manjanit nënkryetarja Dëshira Subashi nuk kontestoi mungesën e shenjës që e di vetëm ajo, në asnjërën prej fletëve të numëruara. Në këtë suazë, Manjani e ftoi Edi Ramën që të pranojë rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë dhe gjithë Shqipërinë.
“Të pranojnë faktin se Kryetari i Partisë Socialiste doli në opozitë për herë të parë dhe t’i kthehen jetës institucionale në këtë vend. Qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë nuk ia kanë për borxh as Ramës e askujt tjetër përbuzjen e vullnetit, që e shprehën qetësisht, paqësisht dhe demokratikisht më datën 8 Maj. Ky vullnet u lexua publikisht, qartësisht dhe brenda një procesi të rregullt ligjor të sigurt dhe me integritet”, deklaroi Manjani.
Ai shtoi gjithashtu se ky shtet ka institucione, ka edhe gjykata që kanë për detyrë të trajtojnë çdo shqetësim të palëve që konkurrojnë në zgjedhje. “Kushdo që ka një problem bën mirë ti paraqesë para institucioneve. Të tjerat janë pallavra që harrohen shpejt,”, përfundoi deklaratën e tij përfaqësuesi për Çështjet ligjore dhe zgjedhore në LSI, Ylli Manjani.

Gazeta 55



