Kapllani: Mund të luajmë për tri pikët
Sulmuesi inspiron skuadrën që ndaj Bosnjës të luajë si ndaj Bjellorusisë

Shqipëria vazhdon të ëndërrojë, ndërsa vetëm shtatë ditë na ndajnë nga ndeshja më e rëndësishme, ajo ndaj Bosnjës më 7 qershor në Zenica. Trajneri Josik Kuzhe ka nisur tashmë fazën përgatitore të kësaj sfide me 22 kuqezinjtë që ka në dispozicion. Objektivi është një rezultat pozitiv, pse jo edhe një fitore, e cila do të afronte më shumë me realitetin e një kualifikimi të mundshëm në Euro 2012. Por, për të bërë një gjë të tillë, Edmond Kapllani, sulmuesi i rikthyer në Kombëtare pas tetë muajsh mungese, inspiron skuadrën që të aplikojë të njëjtën lojë si ndaj Bjellorusisë në Tiranë. Ai e di mirë se Bosnja është një kundërshtar shumë i vështirë dhe se ndaj nesh do të luajë shanset e fundit për kualifikim. “Të them të drejtën, për ne çdo skuadër është e vështirë, u shpreh Kapllani në konferencën e djeshme për shtyp. E pamë këtë edhe me Luksemburgun, gjë që na tregoi se ekipet kanë avancuar. Por unë kam besim te grupi i lojtarëve, sepse është ky detaj që në futbollin modern jep rezultate pozitive. Por besoj se nëse luajmë me Bosnjën si me Bjellorusinë, atëherë kemi mundësi të marrim jo një pikë, por maksimumin”. Boshnjakët do të luajnë ndaj Rumanisë në Bukuresht dhe kjo do të jetë një mundësi e mirë për të t’i bërë një studim të fundit mënyrës së aktuale të lojës së kundërshtarit tonë të ardhshëm: “Normalisht do ta ndjek ndeshjen Rumani-Bosnjë. Edhe pse për ne më e rëndësishme është mënyra se si do të luajmë kundër tyre”, pohoi Kapllani”. Për sa i përket rikthimit në Kombëtare, golashënuesi i shqiptar i Paderbornit në këtë sezon në Bundesligën II shprehet i kënaqur. Për mungesën e gjatë 8-mujore, sulmuesi i jep të drejtë trajnerit, pasi “isha i dëmtuar”. Por tani e ka bindur Kuzhen me formën e mirë që po kalon dhe me golat që ka shënuar. Në këtë mënyrë, ai zgjedh të shmangë çdo polemikë të mundshme në lidhje me vendimet e trajnerit dhe thekson se “në Kombëtare, i rëndësishëm është grupi, jo individët. Grupi na ka çuar deri në këtë pikë ku jemi dhe grupi do të kërkojë të na japë ndeshje pozitive si kundër Bosnjës”. Bogdani ka deklaruar tashmë tërheqjen pas këtyre eliminatoreve dhe Kapllani pritet të jetë zëvendësuesi i tij. “Unë e kam ndier veten gjithmonë gati dhe kur kam luajtur, kam dhënë maksimumin, duke e ndihmuar skuadrën kombëtare, aq sa kam pasur mundësi, ka theksuar ai në lidhje me të këtë çështje. Por të gjithë ata që janë këtu, ndihen gati për t’i shërbyer Kombëtares”. Me mbylljen e sezonit të Bundesligës II, skadoi edhe huazimi i tij te Paderborni, ndërsa kualifikimi i Augsburgut në Bundesligë i çoi në rinovimin automatik të kontratës së tij edhe për një vit me këtë ekip. Por e ardhmja e tij është ende e dyshimtë. “Ngjitja e Augsburgut në Bundesligë i e vështirëson pozicionin tim, pasi klubi dëshiron të blejë lojtarë të tjerë për të përballuar kampionatin. Do të kërkojnë një sulmues me përvojë. Megjithatë, unë me 99% e shoh veten tek Augsburgu”, rrëfen Kapllani, i cili gjithsesi nuk i trembet konkurrencës brenda skuadrës: “Nuk kam frikë sepse konkurrenca është në çdo ekip. Por konkurrencën duhet ta përballosh dhe ta shfrytëzosh në favorin tënd”, përfundoi sulmuesi kuqezi.
