dailyvideo

Rama: Kriza po thellohet, të nisë hetimi penal ndaj Ristanit

“Nga KQZ-ja janë hequr kamerat e survejimit të kutive të votimit”

Partia Socialiste zhvendos vëmendjen e saj për çështjen e Tiranës drejt Prokurorisë së Përgjithshme. Në një konferencë për shtyp dje, kreu i saj, Edi Rama, ka bërë të ditur se pas procesit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe pritmërive nga Kolegji Zgjedhor, selia rozë vlerëson se shkelja e ligjit ka kapërcyer kufijtë administrativë për të kapërcyer në ata penalë. “I jemi drejtuar prokurorisë, duke i vënë në dispozicion të gjitha provat e një krimi që nuk është thjesht administrativ, por mirëfilli penal. Sigurisht presim që prokuroria të veprojë për ta zbardhur me themel të gjithë çka ka ndodhur, duke deformuar në mënyrë spektakolare vullnetin e qytetarëve të Tiranës, me qëllimin e vetëm të përmbysjes së fitores në tavolinë dhe të grabitjes së mandatit të Tiranës”, tha Rama. Thënë ndryshe, rruga ligjore e përmendur nga selia rozë po zgjerohet edhe drejt hetimit penal, për të cilin edhe katër anëtarë të KQZ-së aktualisht kanë në ngarkim një kallëzim penal nga PS-ja. Më tej, Rama ka bërë të ditur edhe opsionin e protestave si rrugë për rifitimin e të drejtës së humbur në tavolinë dhe në këtë drejtim, sipas tij vendimi i Kolegjit Zgjedhor është një pikë kthese. “Vendimi i Kolegjit është një domosdoshmëri jo thjesht për të përcaktuar mandatin e Tiranës mbi bazën e rezultatit legjitim që e pa çdo shqiptar dhe bota mbarë me sytë e miqve e partnerëve të fokusuar në këto zgjedhje, por edhe për të mos rritur koston për vendin e për njerëzit të një procesi të dalë përfundimisht nga binarët përmes vullnetit të mbrapshtë të një njeriu, i cili për fat të keq është Kryeministri i këtij vendi, por që kurrë në historinë e tij s’ka pranuar ndonjëherë ndonjë rezultat që e ka nxjerrë humbës, ashtu sikundër nuk fiton dot pa vjedhur kundërshtarin”, nënvizoi kreu i PS-së. Në një karakterizim të procedurave të ndjekura nga KQZ-ja, Rama ka risjellë në vëmendje akuzat e njohura që flasin për vjedhje në tavolinë, shkelje të ligjit dhe moszbatim i asnjë procedure normale. “Sot, e gjithë ditën, në Komisionin Qendror të Vjedhjeve vazhdon veprimtaria ilegale për të përmbysur rezultatin në tavolinë, duke vazhduar hapja e kutive të zgjedhjeve të 8 majit, kuti të cilat ndryshe nga çdo herë tjetër kanë dalë nga regjimi i zakonshëm, janë mbledhur pa një vendim si zakonisht, janë magazinuar pa asnjë monitorim, janë hequr nga survejimi me video që ka qenë një praktikë e konsoliduar deri në zgjedhjet e shkuara”, nënvizoi Rama.
Kjo është dalja e tretë e tij pas shpalljes së rezultatit për Tiranën nga KQZ-ja, përmes të cilave ai ka mbajtur të hapur perspektivën e protestave si mjet për të kundërshtuar vendimet e institucioneve shqiptare. Duke pasur parasysh riciklimin e tyre, ai ka theksuar me forcë se statusi politik dhe social i Shqipërisë në momentin e tanishëm është fiksuar te fjala krizë. “Saliu po turpëron Shqipërinë... Shqipëria nuk ka ngërç. Shqipëria ka krizë. Krizë të thellë të demokracisë, të drejtësisë dhe të ekonomisë. Është një krizë që sot thellohet dita-ditës, për përgjegjësinë ekskluzive të Saliut. Sot është koha dhe vendi për të folur për atë që kemi përpara si një stacion shumë i rëndësishëm”, tha ai.

Posted by fatmir on 04:57. Filed under , , , . You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0

0 commenti for Rama: Kriza po thellohet, të nisë hetimi penal ndaj Ristanit

KOMENTO

Lajmet e fundit

Komentet e fundit

Lajme BOX1