dailyvideo

KQZ rrëzon kërkesën e PS-së për Tiranën

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi dje kërkesën e Partisë Socialiste, për pezullimin e shqyrtimit të ankesave për vendimin që i hapi rrugë shpalljes së tabelës përmbledhëse të rezultatit për Bashkinë e Tiranës. Përfaqësuesit ligjorë të PS-së i kërkuan Komisionit të vendoste pezullimin e ankimimeve me argumentin se çështja po shqyrtohet tashmë në Kolegjin Zgjedhor. Të njëjtin qëndrim shprehën edhe dy nga anëtarët e KQZ-së të propozuar nga opozita. “Thelbi i ankimit është i njëjtë. Gjykimi im është që kërkesa për pezullim deri në shprehjen e Kolegjit Zgjedhor për këtë çështje është e drejtë dhe këtë e parashikon dhe Kodi Zgjedhor”, - theksoi zv/kryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi. “KQZ-ja duhet të pezullojë këtë gjykim, pasi kjo është një e drejtë proceduriale, që po gjykohet nga një organ më i lartë gjyqësor, siç është Kolegji Zgjedhor”, - tha anëtari i KQZ-së, Artan Laze. Por, përfaqësuesit e maxhorancës në KQZ si edhe avokatët e Partisë Demokratike u shprehën kundër këtij pezullimi. Sipas tyre përmes këtij qëndrimi socialistët po tentonin bllokimin dhe zvarritjen e procesit. “Përderisa ankimimet janë të argumentuara dhe të dorëzuara brenda rregullave që Kodi Zgjedhor parashikon nuk ka pse të mos merren në shqyrtim”, - u shpreh anëtari i KQZ-së, Klement Zguri, i cili shtoi se KQZ-ja duhet të vijojë me rendin e ditës, pasi ankimimet janë bërë me vullnet të lirë të vetë subjekteve të interesuara. Ishte Subashi që ndërhyri sërish duke theksuar se nuk kishte vlerë që një ankimim të shqyrtohej nga dy institucione njëkohësisht. “Ankimet për rezultatin përfundimtar, tabela përmbledhëse që përmbysi rezultatin e Tiranës pritet të shqyrtohet këtu, ndërkohë që kjo çështje tashmë po shqyrtohet nga Kolegji Zgjedhor”, - argumentoi ajo. Nga ana tjetër kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, duke kundërshtuar propozimin e socialistëve, tha se “kërkesa për pezullim duhej bërë bashkë me padinë e themelit në gjykatë, por nga PS-ja u zgjodh kjo rrugë që synon të pengojë punën e KQZ-së për të përmbyllur detyrat e saj ligjore”. Pas debateve kërkesa e PS-së për pezullimin e shqyrtimit të ankimimeve u hodh poshtë me votim 4 me 2 nga anëtarët e KQZ-së dhe Komisioni vijoi rendin e ditës me shqyrtimin e ankimimeve. Kërkesa PS-së konteston rezultatet e KZAZ nr. 49, njësia bashkiake 5, si dhe vendimin e KQZ-së për tabelën përfundimtare të Bashkisë Tiranë. Ndërsa, kërkesa e PD-së kërkon rivlerësimin dhe rinumërimin e votave të kontestuara në katër njësi bashkiake të kryeqytetit dhe përfshirjen e tyre në tabelën përfundimtare. Ankimimi i PD-së kërkon që, përveç votave të vlefshme të hedhura në kutitë e gabuara, tashmë të rivlerësohen dhe një numër votash të kontestuara gjatë procesit të numërimit të votave për kryetar bashkie. Te. Blu

Posted by fatmir on 04:54. Filed under , , , . You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0

0 commenti for KQZ rrëzon kërkesën e PS-së për Tiranën

KOMENTO

Lajmet e fundit

Komentet e fundit

Lajme BOX1