Beqaj: Besoj te pikët në Bosnjë

Portieri kuqezi e mbështet besimin te forca e përfaqësueses shqiptare
Trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe, publikoi të shtunën listën zyrtare të futbollisteve të thirrur për ndeshjen kualifikuese të Euro 2012, atë kundër Bosnjë-Hercegovinës, një takim që do të luhet në Zenica, më 7 qershor. Mes 23 emrave të besuar të tekniku kroat është edhe ai i portierit veteran të kuqezinjve, Arjan Beqaj, i cili nuk ka kaluar një periudhë të mirë te skuadra e tij, Ermis Aradipou, për shkak të dëmtimeve, por ka rigjetur formën dhe është i gatshëm të vihet në dispozicion të teknikut kuqezi enkas për këtë ndeshje të rëndësishme të përfaqësueses sonë. 24 orë pasi ka mësuar për përfshirjen e tij zyrtare në listë, “gardiani” i kombëtares shqiptare, ka theksuar se Shqipëria do të mund të marrë rezultat të favorshëm në ndeshjen e sfidën e radhës, e cila do të zhvillohet në shpinë e Bosnjës. “Do të jetë një sfidë e vështirë, por ne kemi dëshmuar se mund të arrijmë rezultat pozitiv. Tashmë Shqipëria ka mentalitet më të fortë dhe mund t’u bëjë ballë ndeshjeve të tilla. Jam i bindur se mund të marrim pikë nga kjo transfertë”, ka thënë Beqaj. Tekniku kuqezi ka grumbulluar në total 23 lojtarë për këtë sfidë, por vetëm 18 prej tyre do të mund të udhëtojnë për në Zenica më 6 qershor. Pesë futbollistë do të jenë të detyruar të qëndrojnë në Tiranë. Pra në fund të grumbullimit, që do të nisë sot, tekniku kroat duhet të bëjë një tjetër seleksionim të 18-të, ku lojtarët do të duhet të vlerësohen në bazë të formës së secilit gjatë këtyre ditëve. Është thuajse e sigurt, që emri i Beqajt do të jetë pjesë e grupit 18-sh, pasi ai mendohet se do të jetë portieri titullar në sfidën ndaj boshnjakëve. Edhe pse konkurrenca nuk do të jetë e vogël, pasi për bluzën e titullarit aspirojnë edhe Hide e Ujkani, Hidi ka bërë një paraqitje të mirë në këto javët e fundit, duke fituar kështu edhe një herë tjetër konsideratën e trajnerit Kuzhe. Një tjetër arsye që mund të ketë ndikuar në grumbullimin e tij është edhe nevoja për një portier të tretë, pasi edhe Ujkani do të vihet në dispozicion të trajnerit vetëm më 3 qershor, pasi të ketë luajtur ndeshjen e parë “playoff” me Novarën të enjten kundër Rexhinës. Një takim, që mund të ndikojë në lodhjen e portierit të ri, grumbullimi i tij do të bëhet vetëm 3 ditë para ndeshjes me Bosnjën. Vetë Kuzhe ka theksuar se ende nuk ka vendosur se cili do të jete portieri titullar për ndeshjen me Bosnjën, pasi ai ka zbuluar se ka një parim pune: “Portierin titullar e zgjedh trajner im i portierëve”. Ndoshta për herë të parë në këto vitet e fundit, shpresat e Shqipërisë për të arritur një kualifikim sensacional në një kompeticion ndërkombëtar janë më të mëdha se kurrë. Kuqezinjtë pozicionohen të tretët në tabelën e klasifikimit të Grupit D të eliminatoreve Euro 2012 me 8 pikë, po aq sa edhe Bjellorusia e vendit të dytë dhe një më shumë se Bosnja e vendit të tretë. Për të vazhduar të shpresoj më tej, duhet që më 7 qershor të dalë të paktën me pikë nga stadiumi i Zenicas.