dailyvideo

Biznesi: Të përfitojmë nga kriza greke


Amnistia fiskale

Konfindustria, Buxhuku: Të tërheqim kapitalet. Eksperti Binaj: Ka mangësi

Edhe pse qeveria mori në konsideratë kërkesën e biznesit për hartimin dhe vendosjen në mënyrë sa më të shpejtë të ligjit “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor”, e thënë ndryshe, amnistia fiskale, sërish vërehet se në praktikë ka ende probleme. Duket se masat e marra nga institucionet e linjës nuk bindin bizneset e sektorit industrial, të cilët i bëjnë thirrje qeverisë që ta zbatojnë sa më shpejt projektin, kurse ekspertët e fushës gjykojnë se ligji ka mangësi, pasi nuk u jep mundësi të gjithëve që të përfitojnë.
Kësaj here debati lidhet me krizën në Greqi, vendi fqinj me të cilin Shqipëria ka lidhje të forta ekonomike, tregtare dhe sociale. Duke marrë shkas nga situata e rëndë ekonomike që po përjeton shteti helen, Gjergj Buxhuku, administrator i përgjithshëm i Konfindustrisë, apelon për më shumë kujdes sa i takon transferimit të kapitaleve.

“Nëse ndërmerren një sërë veprimesh institucionale dhe ligjore, është plotësisht e mundur, që ekonomia shqiptare jo vetëm të mos preket nga kriza në Greqi, por edhe të përfitojë ndjeshëm në afatgjatë nga kriza e vendit fqinj në të mirë të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit dhe mirëqenies së qytetarëve shqiptarë”, mendon përfaqësuesi më i lartë i Konfindustrisë, organi që mbron interesat e biznesit industrialist. Megjithatë, për biznesin shqiptar, kriza greke paraqet një tjetër rrezik. Në pamundësinë për të përfituar, mund të jetë ekonomia e Athinës, e cila në nevoja likuiditeti mund të thithë kapitalet tona, për shkak edhe të prezencës së bizneseve greke në vendin tonë.

“Kusht i rëndësishëm për sa më sipër është zbatimi me rreptësi i ligjeve në fuqi nga qeveria, Banka e Shqipërisë dhe sidomos Shërbimi Informativ Shtetëror”, deklaron Buxhuku. Gjithashtu, sipas tij, duhen ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për bërjen të mundur të shtimit të të hyrave financiare nga jashtë në ekonominë kombëtare, ku përmendim para së gjithash zbatimin në kohë të shpejtë të faljes fiskale në fuqi për qytetarët shqiptarë me banim brenda dhe jashtë vendit përfshi edhe Greqinë.

Konfindustria, duke marrë shkak nga njoftimet e fundit të institucioneve ndërkombëtare dhe qeverisë greke për vazhdimin e gjendjes tepër të vështirë ekonomiko-financiare të vendit fqinj për vitin 2011, si dhe duke vlerësuar përballjen e ekonomisë së Shqipërisë me pasojat e saj u kërkon institucioneve shtetërore, që si hap të parë të ndalin sa më shpejt dhe me çdo kusht daljen e paligjshme jashtë vendit të kapitaleve financiare shqiptare.

Nuk mjafton apeli i biznesit dhe ndoshta vullneti i institucioneve shtetërore, që Shqipëria të përfitojë nga kriza e vendeve fqinje për të përfituar kapitale monetare dhe asete, pasi ekspertë të njohur në fushën e politikave fiskale vlerësojnë se ligji ka mangësi.
“Po të shikosh me kujdes, ligji ‘Për legalizimin e kapitaleve dhe faljen e detyrimeve tatimore’, nuk jep asnjë përcaktim apo kusht sesi mund të transferohen kapitalet e huaja në Shqipëri. Janë vendosur kritere për transferimin e shumave monetare nga bankat tona, në bazë të përqindjeve, por jo thithjen e pasurive nga shtetet e huaja te ne. Kjo është mangësi e rëndë ligjore dhe nuk na krijon asnjë avantazh”, tregon për gazetën

“Shqip”, eksperti, Agim Binaj, njohës i klimës së biznesit. Sipas tij, shumë vende të botës, pikërisht kësaj procedure i japin shumë rëndësi, pasi përfitimet janë shumë të mëdha. “Riatdhesimi i kapitaleve, jo vetëm monetare duhet të ishte pika e fortë në ligj, e cila mungon”, përfundon Binaj.
Një tjetër debat që ka mbërthyer biznesin, kësaj here për çështje të brendshme, lidhet me mungesën e garancisë, që neni 22 i ligjit nuk e jep. Burime zyrtare nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, deklarojnë për gazetën se shumë shpejt do të nisin negociatat me ministrinë për të rishikuar atë pjesë të ligjit që nuk i jep frymëmarrje biznesit të deklarojë lirisht të ardhurat tatimore, me qëllim faljen fiskale.

Ligji për amnistinë fiskale ka hyrë në fuqi më 18 maj, kurse dy ditë më pas u botua në Fletoren Zyrtare udhëzimi për zbatimin e tij. Kështu, biznesi ka kohë deri në fund të këtij viti për të përfituar nga deklarimi i kapitalit të fshehur, kundrejt një pagese 3-5 për qind, dhe nga falja e një sërë detyrimesh tatimore.

Posted by fatmir on 00:11. Filed under , , , . You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0

0 commenti for Biznesi: Të përfitojmë nga kriza greke

KOMENTO

Lajmet e fundit

Komentet e fundit

Lajme BOX1